Home > Të tjera > Prishtina turistike të ofron shumë

Kryeqyteti me jetën më të bukur të natës në Ballkan

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës më së shumti të josh ta vizitosh për historinë, rrugën e gjatë e të mundimshme që ka përshkruar në shekuj që nga ekzistenca deri sot kur përpiqet shumë të jetë kryeqytet i denjë  europian.

Qyteti daton hershëm, dokumenti i parë historik, i cili e përmend Prishtinën sipas emrit, është i vitit 1342 kur perandori bizantin Jan VI Kantakouzenos përshkruan Prishtinën si një “fshat i rrethuar pa mure”. Rrethina e Prishtinës, si hapësirë në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik ka gjurmë të banimit qysh nga koha e neolitit. Për këtë tregon qyteti antik i Ulpianës. Parku Arkeologjik është një kënd historik që të përfshin, ndaj duhet vizituar patjetër.

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Kosova u bë provincë autonome e Republikës Socialiste të Jugosllavisë. Dhe në vitin 1947 Prishtina u njoh si kryeqyteti i Kosovës. Gjatë viteve 1950 deri në vitet e 1970, nën moton “shkatërro të vjetrën dhe ndërto të renë” u rrënuan pjesë të lagjeve të qytetit, për t’u ndërtuar ndërtesa banimi, administrative, shëndetësore, shkollore, sheshe, e përmendore. Fragmente të lagjeve të dikurshme sot gjenden ende në zonën që njihet si Qendra Historike e Prishtinës, ku është Sahatkulla, Xhamia e Gurit, Xhamia e Mbretit etj.

Që nga 1999, Prishtina ka bërë ndryshime të mëdha në infrastrukturë dhe organizim. Për shkak të kërkesës në rritje për dyndje urbane, janë krijuar lagje të reja, ndërkohë që shumë lagje të vjetra të banuara me shtëpi janë riorganizuar në lagje me banesa shumëkatëshe.

Prishtina sot është në proces të planifikimit, riorganizimit dhe rizbulimit në nivel institucional. Me përpjekte për të konservuar ndërtesa të trashëgimisë kulturore që janë gjurmë të historisë së pasur të qytetit.

Prishtina është një nga kryeqytet me jetën më të pasur të natës, madje jo vetëm në Ballkan. Qendra e qytetit që është e mbushur me bare dhe lokale të shumëllojshme në të dy anët të bën të harrosh shprehjen “nata është për gjumë”. Ndaj ia vlen shumë ta provoni e njihni nga afër.

Qyteti i Prishtinës i ofrohet vizitorit me objekte simbolike të veçanta si në arkitekturë dhe në histori.

Biblioteka Kombëtare e Prishtinës

Biblioteka Kombetare e Prishtinës është padyshim në krye të listët me objektet që duhen vizituar me patjetër, madje jo vetëm një herë. E ndërtuar në vitin 1974 dhe e dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviç, ndërtesa e bibliotekës si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe të kupolave, ndërsa i përket tipit të arkitekturës të “regjionalizmit të ri”. Gjithsej janë 79 kupola të ndara me segmente që i përngjajnë trurit dhe simbolikisht paraqesin dijen.

Muzeu Etnologjik

Muzeu Etnologjik përmban koleksione të ndryshme të trashëgimisë kulturore. Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë, e cila i shpëtoi shkatërrimit të Çarshisë së Vjetër. Si tërësi, kompleksi “Emin Gjiku”(emri që mban zona) mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shekullit XIX.

Xhamia e Sulltanit

Është ndërtuar sipas urdhrit të Sulltan Mehmet Fatihut II – Pushtuesit. Sipas mbishkrimit në gjuhën arabe që ndodhet mbi portalin e hyrjes, xhamia është ndërtuar në vitin 1461. Gjatë luftërave austro-turke në fund të shekullit XVII, kjo xhami është shndërruar në kishë katolike. Këtu ka qenë i varrosur Pjetër Bogdani, njëri ndër shkrimtarët më të hershëm shqiptarë.

Manastiri i Graçanicës

Manastiri i Graçanicës është një kishë ortodokse serbe e ndërtuar në vitin 1321. Objekti është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në mbrojte të UNESCO-s pasi vlerësohet se përfaqëson kulmin e kulturës kishtare bizantine-romake, të cilat lulëzuan midis Shekulli XIII dhe XVII.

Monumenti “Newborn”

Një nga vendet më të bukura që mund të vizitosh në Prishtinë. Nuk mund të humbisni rastin për të vizituar Monumentin “NEWBORN”. Ngritur në vitin 2008, ditën kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ky monument, që ndryshon ngjyrat dhe temën e tij çdo vit, është një ikonë e pavarësisë dhe identitetit kosovar.

Pylli i arinjve

Pylli i arinjve është një park kombëtar në afërsi të qytetit të Prishtinës. Kafshët e strehuara aty kanë lindur kryesisht në pyjet e Kosovës ose të Shqipërisë dhe janë rrëmbyer prej nënave të tyre nga tregtarët e kafshëve. Sanctuary Bear Prishtina ofron strehim të përshtatshme për të gjithë arinjtë me rrethime të mëdha që i përngjajnë habitatit natyror të arinjve. Ky është një destinacion shumë interesant për fëmijët dhe ta apasionuarit pas kafshëve dhe natyrës.

Vizita në Prishtinë dhe zonat rreth saj është fare e lehtë. Kryeqyteti  ka 15 linja të transportit publik që lidhin fshatrat dhe lagjet me qendrën e qytetit. O.K