Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon këtë 8 Mars mbylli me sukses edicionin e parë të “Forumit të grave shqiptare të suksesshme në rajon” që u zhvillua nën kujdesin e Kryetarit të Komunes z.Nik Gjeloshaj. Ky event është mbajtur në Komunën e Tuz-it në Malin e Zi dhe ka përfshirë një program të larmishëm duke vendosur në fokus gruan e suksesshme shqiptare. Në këtë event të rëndësisë së veçantë është krijuar një hapsirë për të trajtuar problematikat e tyre dhe promovuar një platformë të promovimit të modeleve të suksesshme.
Ideuar si një program kulturor ndërdisiplinor ky aktivitet pasqyroi elementet e etnografisë shqiptare, muzikën e trashëgimisë, artet e performancës skenike dhe fjalës artistike, si edhe trashëgiminë e kostumografisë dhe dizanjet bashkëkohore. Në këtë aktivitet ne komunën e Tuzit kanë qënë pjesëmarrës 150 persona nga të gjitha rajonet shqipfolëse, një aktivitet i cili u shndërrua në një vend feste për banorët e zonës. Në këtë panair të grave të suksesshme dhe artizane u paraqitën 40 ekspozues nga 8 komuna të rajonit.
Ky aktivitet në vëmendje të grave është përpiluar një axhendë që përfshinte përfaqësues dhe ekspertë të fushave të ndryshme si: politika, biznesi, shoqëria civile etj Pjesëmarrësit ndanë së bashku eksperiencat, sfidat dhe ideuan zgjidhje për të adresuar sfidat e ngutshme që prekin gratë dhe vajzat në të gjithë rajonin shqipfolës për t’i siguruar ato që të kenë korniza dhe programe të fuqishme për të përmbushur objektivat në fuqëzimin ekonomik të tyre.
Nën moderiminin e këngëtares së njohur Besiana Mehmedi dita u mbyll nën tingujt e muzikës së artistëve më të njohur të muzikës shqiptare si: Vikena Kamenica, Familja Qerimi, Shkodran Tolaj dhe vetë moderatores. Në skenën e madhe u bashkua edhe Ansambli Nacional i Kengëve dhe Valleve Shqiptare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët sollën një performancë artistike të këngëve dhe valleve të rajoneve shqiptare. Ky aktivitet startoi tashmë një rrugëtim të përvitshëm të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, duke synuar kështu pjesëmarrje më të gjerë, marrjen në konsideratë të perspektivave të reja mbi çështjet kryesore që prekin gratë dhe vajzat për të krijuar në këtë mënyrë një rrjet të fuqishëm, rajonal, në mënyrë që të forcojë ndikimin e grave. Gjithashtu të hartojë plane veprimi inovative dhe konkrete për të inkurajuar kontributin e tyre në shoqëri si dhe për të promovuar diversitetin në botën e biznesit.