Andriola Kambo: Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon një mundësi bashkëpunimi
Cili është objektivi kryesor i Unionit?
Sikundër u shpreha më lart, parësore në veprimtarinë e UBSHR janë interesat e qytetarëve, afrimi mes tyre, nxitja e të menduarit e të vepruarit si një bashkësi e sinkronizuar për të ndihmuar njeri-tjetrin dhe për të kthyer solidaritetin e realitetin e të qenurit shqiptar në një aleancë jo vetëm shpirtërore. Kjo do të ndihmojë edhe bashkëpunimin që vendet tona të ndajnë të njëjtin vizion dhe të veprojnë me të njejtën shpejtësi ndaj objektivit të tyre madhor integrimi në BE.
Çfarë nismash keni ndërmarrë deri më tani dhe si e shikoni perceptimin e bashkëpunëtorëve?
Gjatë vitit 2020, që ishte viti i parë formal i veprimtarisë së Sekretaritatit të Përgjithshëm planifikuam një numër projektesh dhe aktivitetesh në interes të komunave tona, por pandemia globale COVID-19 patjetër që ndikoi edhe në punën tonë, por ne u përpoqëm të shohim anët pozitive të situatës. Në një kohë kur të gjithë ishim të kushtëzuar dhe “paralizuar” për të vepruar u përpoqëm të gjejmë mënyrat për të qënë aktivë dhe inovativë. Për shembull, vumë vëmendjen tek sektori i turizmit, një nga më të prekurit nga kriza. Nisma “Promovimi dhe Zhvillimi i Turizmit Rajonal” i dha sadopak frymëmarrje, vuri diçka në lëvizje. Realizuam 3 rrugëtime të përbashkëta turistike për qytetet tona, duke promovuar turizmin kulturor, balnear, historik, kulinar, etj. Lançuam spotin promovues “Eja n’shpinë tënde” ku gjej rastin edhe njëherë të falenderoj të gjitha figurat publike që ishin pjesëmarrës dhe i bënë thirrje qytetarëve të vizitojnë qytetet e rajonit. Një spot që u kthye në një kartolinën tërheqëse dhe me shumë ndikim për nxitjen e turizmit.
Në shtator të viti 2020 vijuam me projektin e titulluar “Tirana vjen tek ti”, si një ftesë për të kremtuar të gjithë së bashku 100 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Duke u nisur dhe nga backgroundi im profesional si historiane menduam të ishim fleksibël dhe inovativë e erdhëm me idenë e realizimit të një Muzeu të Lëvizshëm, i cili pasqyroi rrugëtimin e kryeqytetit në 100 vite dhe për këtë ia vlente sigurisht të festonim në qytetet anëtare të UBSHR-së. Me një itinerar dhe një programacion specifik duke qenë rigoriz, të përgjegjshëm dhe konform të gjitha rregullave nga pandemia e COVID-19 me Muzeun e Lëvizshëm “Tirana vjen tek ti” udhëtuam në qytetet e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Prishtinës, Preshevës dhe Çairit (Shkup).
Ky projekt shërbeu për t’i njohur qytetarët me elemente historike dhe kulturore të panjohura të kryeqytetit të Shqipërisë, por edhe gjallëroi sheshet e qyteteve në kohë pandemie kur pak ka ngjarje kulturore.
Projekti më i fundit i UBSHR quhet “Mike e zonjave krijuese dhe guximtare”, i cili ka qëllim rrjetëzimin e bizneseve të rajonit që drejtohen nga gratë dhe vajzat duke e parë fuqizimin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave si një nga gurët e themelit për një shoqëri të shëndoshë dhe të zhvilluar.
Nisma ambizioze duhet të ketë edhe projekte apo ide që po punoni rreth tyre. A mund të na thoni cilat janë këto ide, dhe çfarë synojmë të kemi së shpejti nga Unioni? Cilët sektor do të gëzojnë më shumë mbështetje?
Projekti i UBSHR, “Mike e zonjave krijuese dhe guximtare” është pjesë e një strategjie më të madhe të Unionit, e cila vetëm ka filluar me realizimin e spoteve promovuese në komunat anëtare me zonjat që kanë ngritur bizneset e tyre dhe tashmë shërbejnë si modele të mira frymëzimi. Është kënaqësi e madhe dhe një eksperiencë fantastike njohja me këto zonja, me sfidat dhe vështirësitë që kanë ndjekur drejt një rrugë të vështirë dhe sfiduese. Ky projekt po zbatohet në bashkitë dhe komunat shqiptare në Rajon pjesë të Unionit.Një tjetër synim i yni është krijimi i një Forumi Rajonal të Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, i cili do të bëjë bashkë të gjitha keto biznese në rajon. Krijimi i këtij Forumi me specialistë të fushës dhe ekspertë të komunave do të koordinojë punën e përbashkët.
Po ashtu, ne parashikojmë krijimin e një platforme online ëeb-i që do të promovojë sipërmarrjet e suksesshmem dhe ndërmarrjet sociale pjesë të nismës. Të shërbejë si një mekanizëm për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e turizmit, urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja. Kjo platformë digjitale, do të shërbejë si një “ndërmjetëse” që plotëson dhe përshtat kërkesat specifike të klientëve me ofertat e bizneseve që do të regjistrohen në faqen ëeb.
Në nivel rajonal ka disa nisma që synojnë të zhvillojnë integrimin, cfarë ju dallon në këtë drejtim krahasuar me nismat e tjera?
Unioni, është nisma e parë që bën bashkë institucione të pushtetit vendor, bashki dhe komuna shqiptare të rajonit. UBSHR është një urë bashkëpunimi mes tyre, për të shkëmbyer eksperienca konkrete mes qyteteve dhe për të punuar për projektet në interes të përbashkët. Siç ka unione të frankofonisë, pra të kryetarëve të bashkive frankofone, në njëfarë mënyre ky është Unioni i kryetarëve të bashkive albanofonë, na bashkon një gjuhë dhe një histori. Kjo strukturë e posaçme është padyshim një hap i parë i rëndësishëm që do të ndihmojë në zhvillimin e qyteteve tona.
Gjej rastin të falenderoj për mbështetjen e pakursyer në të gjitha nismat e projekteve që ka ndërmarrë tashmë Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, kryetarin e Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i UBSHR-së. Gjithashtu dhe Znj. Anuela Ristani, Nënkryetaren e Bashkisë Tiranë dhe gjithë kryetarët e komunave anëtare, por pa lënë në harresë dhe stafet e kabinetit që punojnë me një përkushtim të jashtëzakonshëm që këto projekte të jenë të suksesshmë, funksionale dhe të prekshme për qytetarët tanë. Falenderoj gjithashtu të gjithë bashkëpunëtorët e Unionit, Dhomën Ekonomike të Gruas, RCC (Regional Cooperation Council, tur operatorët turistike, zonjat në biznes, të cilat i janë bashkuar dhe kanë besuar në nismat tona, televizionin KLAN dhe moderatoren Orinda Huta, e cila e ka mbështetur me shumë dashuri projektin e Unionit “UBSHR, mike të zonjave krijuese dhe guximtare” etj.