Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj priti në një takim kryetarët e Unionit të Bashkive shqiptare në Rajon, në një ditë kaq të rëndësishme si 100-vjetori i shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit, krerët e bashkive kryesore të trevave shqiptare ranë dakord për intensifikim të marrëdhënieve mes tyre, duke sjellë jo vetëm shkëmbim të ideve dhe të eksperiencave, por edhe të ndërmarrjes së hapave të përbashkët, me qëllim rritjen ekonomike.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se, ky është momenti i duhur për të krijuar edhe paketa të përbashkëta turistike. “Vitin që kaloi kemi pasur për herë të parë më shumë turistë se banorë, mbi 1 milionë. Detin e kemi vetëm 20 minuta larg, por duam të marketojmë; pra, nëse vjen për det, fundjavën mund ta kalosh në Tiranë. Vetëm me shpalljen si Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022 parashikojmë të kemi mbi 1 mijë aktivitete, por na duhet një superbashkëpunim, të bëjmë një paketë të përbashkët turistike”, tha ai.
Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen për ndihmën e pakursyer të dhënë gjatë tërmetit, duke u gjendur pranë njerëzve në nevojë që në momentet e para. Ai tha se vendimi i marrë nga qeveria shqiptare dhe bashkitë për të dhënë bonus qiraje ishte zgjidhja e duhur për të kapërcyer këtë fazë, gjer në rindërtimin e banesave të reja.
Të pranishëm në takimim ishin kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti; Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka; kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu; kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi; kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq; kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari dhe zv. Kryetari i Komunës së Preshevës Mendurim Presheva.
Unioni i Bashkive Shqiptare ka për qëllim të krijojë klimën dhe mekanizmat e duhura të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon.