Vizitoje këtë verë, të pret si turist e të nderon si të shtëpisë
Tetova është qyteti i shtrirë në fushën e Pollogut, por i rrethuar me male. Në anën perëndimore i qëndron mbi krye mali i Sharrit, destinacioni kryesor turistik që gjendet mes Tetovës dhe Prizrenit, në Kosovë. Në lindje ka malin Zheden dhe malin e Thatë.
Komuna e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 91571 banorë, në shumicë shqiptarë. Natyra rreth saj të ofron peisazhe mahnitëse malorë apo të luginave të lumenjve që ndodhen në këtë zonë, Shkumbini, Lesocka dhe Mazdraça. Ndërsa vetë qyteti shtrihet mes objekteve antike të kultit, institucioneve arsimore, ka 2 universitete në Tetovë si dhe jetës urbane plot gjallëri dhe traditë. Në një përshkrim të parë këto fjali të vijnë ndërmend për qytetin e Maqedonisë së Veriut.
Bulevardi Iliria, shëtitorja kryesore është i mbushur me dyqane, restorante dhe kafene e që në sy të parë të krijon përshtypjen e një dinamizmi të bartur nga të rinjtë, tamam për një qytet studentor. Në fund të bulevardit, sheshi qendror shënon zemrën e qytetit dhe ku vizitorin e përfshin shpejt në gjallërinë e vet.
Në këtë pjesë të Tetovës, Shtëpia e Kulturës është njëra nga ndërtesat e rralla të erës jugosllave, e cila me skulpturat e saj rrëfen ushtarët dhe fshatarët në punë në atë kohë. Nga qendra, qyteti i vjetër gjendet dy hapa më larg. Kopshte të vogla, shtëpi të vjetra, ndërlidhje rrugicash me kalldrëm dhe dyqane të shumëllojshëm karakterizojnë këtë lagje shumë të këndshme. Kryesisht e banuar nga maqedonas ortodoksë, aty strehohen kisha të shquara si Shën Kirili dhe Metodi me koleksionin e saj të ikonave.
E shkuara dhe e ardhmja e Tetovës flasin përmes objekteve që çdo vizitor duhet të njohë nga afër.
XHAMIA E LARME
Xhamia e Larme u ndërtua në vitin 1495. Ky monument paraqet një shembull përfaqësues dhe realizim të veçantë artistik, me dekorim specifik të jashtëm dhe të brendshëm. Për shekuj me rradhë kjo xhami e ruan funksionin e saj fetar, edukativo-arsimor dhe kulturor. Forma e sotme arkitekturore dhe dekorimi janë krijuar në gjysmën e parë të shekullit XIX, nga Abdurahman Pasha.
ARABATI BABA TEQE
Harabati Baba Teqe është kompleks shekullor i trashëgimisë kulturore dhe fetare, e cila ndodhet në qytetin e Tetovës. Ky objekt është e ndërtuar gjatë viteve 1538 – 1548 nga ana e Sersem Ali Dedes, ndërsa në vitin 1799 Rexhep Pasha themeloi bazën aktuale të teqes. Harabati Baba Teqe është një kompleks me arkitekturë madhështore dhe mbresëlënëse, e cila përbëhet nga disa objekte.
KALAJA E TETOVËS
Kalaja e Tetovës daton nga koha më e re, e ndërtuar rreth vitit 1820. Gjendet në afërsi të Tetovës, në majën e Balltepës. Ka lartësi mesatare rreth 800m mbi nivelin e detit, e lartë 220-250m dhe me sipërfaqe prej 108.000 m2. Ndërtuesit e kalasë e kishin paraparë pozicionin strategjik, për shkak se kontrollohej një pjesë e madhe e fushëgropës së Pollogut.
Kompleksi i sotëm arkeologjik përbëhet prej mureve, në brendësinë e të cilave gjenden pesë pallate, banja, magazina, kuzhina të mëdha, dhoma ngrënie dhe pus. Prej objekteve më të vjetra, këtu gjendet kisha Shën Atanasij nga shekulli XIV.
MENADA – ÇEZMA E BALEZËS
Në vitin 1933 afër vendit te quajtur Çezma e Balezës, është gjetur statuja e valltares prej bronzi nga periudha ilire, shekulli VI para erës së re. Ky është zbulimi me i vjetër arkeologjik i gjetur ne trevën e Tetovës. Statuja është me dimensione 9 cm e gjatë dhe 4 cm e gjere, dhe tani gjendet ne Muzeun e Shkupit.
URA E GURRIT
Në mungesë të dokumenteve të shkruara, nuk është e njohur koha e saktë e ndërtimit të Urës së Gurrit. Në bazë të teknikës së ndërtimit dhe pamjes së saj mendohet se është ndërtuar në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI. Teknika e kësaj ure është mjaft e përsosur. Qemerët janë të ndërtuar me blloqe gurësh, fugat ndërmjet gurëve janë të lidhura me plumb të shkrirë. Kjo urë akoma është funksionale dhe lidh dy anët e qytetit.
QENDRA TURISTIKE “KODRA E DIELLIT”
Kodra e Diellit është një lokalitet turistik dhe qendra më e famshme rekreative malore që gjendet në Bjeshkët e Sharrit. Kodra e Diellit zotëron 11 ski-ashensorë, me gjatësi prej 7.7. km, që lidhin shtigjet e skijimit në lartësi prej 1070-2510m. Gjatësia e shtigjeve të skijimit është 20 km nga të cilat 3 janë sipas kritereve të FIS – it. o.k