Home > Të tjera > Tirana ka shumë për të treguar

Kryeqyteti 100- vjeçar destinacion i përhershëm i turistëve

Tirana është pa dyshim një nga metropolet më të gjalla dhe në ndryshim të përhershëm të Evropës Juglindore, e ndodhur vetëm 20 minuta larg nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryeqyteti 100- vjeçar i Shqipërisë ka vërtet shumë për të treguar. Tirana flet gjuhën e historisë me shumë institucione historike e arkeologjike, flet gjuhën e kulturës me më të rëndësishmet institucione kulturore të Shqipërisë, flet gjuhën e arsimit me universitete e shkolla nga më prestigjozet jo vetëm në rajon. Duke e vizituar dhe prekur nga afër ajo të tregon se si një qytet me kaq shumë histori mund të transformohet në një metropol modern e të standarteve më të larta bashkëkohore.

Tirana të josh me destinacionet turistike duke nisur me malin e Dajtit, Shëngjergjin, shpellën e Pëllumbasit, Liqenin Artificial, Liqenin e Farkës etj. Statistikat tregojnë se, Tirana është një destinacion i përhershëm i pothuajse të gjithë turisteve që vizitojnë Shqipërinë.

Mendohet se, elementët e para të mirëfilltë të një jete urbane në kryeqytet fillojnë me Mozaikun e Tiranës. Nga gërmimet e kryera në vitin 1972 në territorin ku sot ndodhet Mozaiku u gjetën elementë, të cilët mendohet se i përkasin shekullit të I të e.s.

Historia e Tiranës si qyteti i sotëm fillon në vitin 1614 kur Sulejman Pashë Bargjini, një feudal i pasur nga fshati Mullet, ndërtoi katër objekte: xhaminë, hamamin, furrën e bukës dhe hanin, të cilat u bënë bërthama e qytetit të ardhshëm.

Vizitorëve u sugjerohet të nisin itinerarin në kryeqytet nga Sheshi “Skënderbej”. Tashmë, ky shesh është një hapësirë e kushtuar vetëm për këmbësorët, shtruar me qilimin e gurëve nga të gjitha trojet shqiptare e nga krejt krahinat e Shqipërisë. Edhe gjelbërimi përfaqësohet nga varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria.

Në 360 gradë nga Sheshi “Skënderbej” shihen të gjitha shtresat historike duke filluar nga ajo otomane përfaqësuar me Xhaminë e Et’hem Beut. Pastaj vijohet me periudhën e arkitekturës italiane përfaqësuar nga ndërtesa e Bashkisë dhe ato të ministrive.

Më tej, me periudhën sovjetike, e cila ka lënë gjurmën e saj në Pallatin e Kulturës, ndërtuar mbi Pazarin e Vjetër të Tiranës, që nisi të ndërtohet më 3 qershor 1959. Në vijim shohim periudhën komuniste, e cila i shtoi një tjetër vulë ndërthurjes orientale-evropiane me ndërtimin e Muzeut Historik Kombëtar. Ky është muzeu kryesor shqiptar ku pasqyrohet historia, prej antikitetit ilir deri në ditët tona. Mozaiku i fasadës së tij është gjigand me dimensione 10 x 40 m, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”.

Nga Kulla e Sahatit  mund të ecni për 1 minutë përgjatë ndërtesës së Bashkisë së Tiranës për të gjetur Bunk’Art 2. Duke ecur drejt ju shkoni direkt në pedonalen të quajtur “Murat Toptani” ku gjendet Kalaja e Tiranës, e cila përfaqëson një fortifikim fushor, brenda mureve të saj është krijuar së fundmi një zonë e re rekreative për kryeqytetin. Kjo zonë pedonale shërben si një mjedis ku promovohen artizanët dhe traditat lokale, kulinaria dhe arti i Tiranës.

Mund të vijohet itinerari përgjatë Bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit”, ku vihet re lehtësisht një ndërtesë me arkitekturë interesante siç është Piramida e Tiranës dhe që tanimë po shndërrohet në një hapësirë për Edukimin dhe Teknologjinë digitale. Po në krahun e Piramidës shihet instalacioni më i ri në kryeqytet i quajtur “La Radura”, vepër e arkitektit italian Stefano Boeri si një koncept i ri për hapësirat publike.

Në Rrugën e Dibrës gjendet “Shtëpia Studio Kadare” – apartamenti ku shkrimtari i njohur jetoi e punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90 në Tiranë, është e vizitueshme për këdo që do të njihet në mënyrë pak më intime me jetën e autorit.

Ndërsa në një tjetër rrugë kryesore “Dëshmorët e 4 shkurtit”, lehtësisht e aksesueshme mund të vizitohet Muzeu Kombëtar ”Shtëpia me gjethe”, i cili është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Në të u rrëfehet të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, diktatura. Ndërtesa e muzeut strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa në kohën e dikaturës ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret.

Itinerari vazhdon tek Pazari i Ri në Tiranë, i cili u krijua në vitin 1931. Edhe sot Pazari i Ri vazhdon të mbetet një nga tregjet më të mëdhenj për tregtim dhe ridimensionimi i kësaj zone e ktheu atë në një zonë të zhvillimit të biznesit për të ofruar një model të ri investimi dhe hapësire komunitare. Këtu gjendet e ndërthurur kuzhina tradicionale,  e cila është e pasur dhe e shijshme dhe ka një traditë shumë të mirë të gatimit gjatë gjithë vitit. Ushqimet janë përgjithësisht standarde bio, të freskëta dhe me standart të lartë.

Për një kafe me më shumë gjallëri i drejtohemi Bllokut, i cili ka një histori të veçantë.  Qysh në periudhën e paraluftës ishin përqendruar këtu disa nga vilat më të hijshme të qytetit. Enver Hoxha e ktheu në rezidencë të vetën dhe të udhëheqësve komunistë. Sot kjo lagje nuk është më ajo e vilave të fshehura në gjelbërim, por një amalgamë e veçantë grataçielash, vilash të kthyera në rezidenca ndërkombëtarësh, dyqanesh luksoze, kafenesh e klubesh të ngjeshura në një sipërfaqe të vogël.

Nga Liqeni Artificial është e lehtë për të ardhur në sheshin “Nënë Tereza” i projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio në vitet 1939-41, duke ecur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ju mund të gjeni atraksione të ndryshme si: Ndërtesa e Universitetit Politeknik (Ish Shtëpia Fashiste), Stadiumi “Air Albania” i rindertuar mbi stadiumin e mëparshëm, Pallati i Kongreseve, Presidenca, COD-i, Memoriali Post block, Parku “Rinia” etj.

Turistët mund të zgjedhin të kalojnë një gjysmë dite në Malin e Dajtit ku mund të shkohet me teleferik nga qendra e qytetit me autobusin e Porcelanit për rreth 20 minuta. Parku Kombëtar i Dajtit ka një natyrë të mrekullueshme dhe ka shumë mundësi; për të ecur në natyrë, për të ngrënë një vakt tradicional ose për të vizituar parkun e aventurave të Dajtit.

Një ditë shumë e bukur kalohet në Shëngjergj, rreth 40 km larg. Shëngjergji ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është mali me Gropa”. Zona e Shëngjergjit është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene. Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” – Perëndeshë e Burimeve Ujore “.

Mos neglizhoni të vizitoni Ujëvarën e Shëngjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpellën e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër si dhe Mali i Gropa. Janë mrekulli të natyrës me peisazhe mahnitëse.

Bunk’art 1 është një nga vendet me tërheqëse e më të rëndësishme në Tiranë kushtuar viktimave të regjimit komunist dhe ndërtuar në dhomat e një bunkeri të vjetër dhe të ftohtë. Pothuajse 3000 metra katrorë nën tokë me më shumë se 100 dhoma, ky bunker mbeti një sekret për ekzistencën e tij deri në ditët e sotme. Ai tashmë është një muze arti bashkëkohor.  Bunk’Art 1 është i pozicionuar afër teleferikut Dajti Ekspress, kështu që a mund të kombinoni vizitat në këto atraksione.

Tirana është shndërruar në qytetin që nuk fle kurrë. Kulturë, aventurë dhe jeta aktive e natës janë kryefjala e metropolit shqiptar.

Tirana, kryeqyteti shqiptar, është një qytet interesant me një zhvillim të vrullshëm dhe si i krijuar enkas për turistët kureshtarë për të përjetuar jetën dhe përvoja pothuajse ende të panjohura më parë.o.k