Shoqata me emrin UBSHR eshte regjistruar ne Gjykaten e Rrethit Gjyqesor Tirane ne datë 29.07.2019 me nr. vendimi 6305. Regjistrim i saj eshte ne përputhje me Ligjin Nr.8788 datë 07.05.2001, “Për Organizatat Jofitimprurëse”dhe sipas Ligji 8789,datë 07.05.2001 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”
Misioni i UBSHR është: Të unifikojë veprimin e njësive vendore anëtare të shoqatës dhe t’i prezantojë ato në nivel rajonal, vendor, qendror dhe ndërkombëtar duke:
- Mbrojtur interesat e tyre,
- Ofruar shërbimet ndaj anëtarësisë,
- Komunikuar vazhdimisht me anëtarësinë,
- Ndërtuar partneritete dhe bashkëpunime,
me synimin për t’i mundësuar bashkive/komunave Shqiptare në rajon një zhvillim të qëndrueshëm dhe sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Të hedhi themelet e një bashkëpunimi të fortë, efikas, të qëndrueshëm e afatgjatë mes kryeqendrave urbane të hapësirës shqiptare ku jeton një e treta e popullsisë shqiptare në rajon. Me besim të palëkundur tek ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërisë që ekziston mes shqiptarëve kudo ata ndodhen, të vetëdijshëm që sfida më e madhe me të cilën përballen sot shqiptarët është sfida e progresit dhe e një jete më të mirë, të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka suksesi i bashkëpunimit mes nesh për avancimin e kauzës së shqiptarëve në rajon, duke mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe duke mbështetur njëri-tjetrin, faktorët qeverisës vendorë shqiptarë janë shprehur të vendosur për ta kthyer këtë bashkëpunim të bazuar në praktikat e modelet më të mira europiane, në një histori suksesi. UBSHR, nuk do të zëvëndësoj detyrat dhe funksionet e vetë njësive vendore, por do të koordinoj për të sjell më afër botën shqiptare të rajonit, për të përballuar së bashku sfidat e zhvillimit e të integrimit.
- Të krijoj një platformë bashkëpunimi që do t’u lejojë bashkive/komuna anëtare të intensifikojnë shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit;
- Të ngrejë një Grup të Përhershëm Koordinues, që ka për detyrë të ndërmjetësojë në mënyrë të pandërprerë komunikimin dhe bashkëpunimin konkret mes bashkive/komuna anëtare për të gjitha fushat me interes;
- Të zhvillojmë shkëmbime të rregullta ekspertize, përvoje dhe projektesh që kanë rezultuar të suksesshme;
- Të zhvillojë rregullisht programe të përbashkëta kulturore e artistike;
- Të punojë për thithjen e fondeve dhe projekteve rajonale dhe ndërkufitare;
- Të krijojë mbështetje të ndërsjellë midis bashkive/komunave anëtare me masa, asete, ekspertizë, dhe personel në rast emergjencash.