Forumi i Grave Shqiptare të Suksesshme në Rajon ishte një aktivitet rajonal që synoi krijimin e hapësirave të trajtimit të problemeve të gruas shqiptare me qëllim fuqizimin e saj ekonomik, promovimin e modeleve të suksesshme dhe pasqyrimin e vlerave të përbashkëta kulturore midis rajoneve shqipfolëse.
Aktiviteti u zhvillua në komunën e Tuzit, e cila e mbështeti atë financiarisht së bashku me Bashkinë Tiranë, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Tirana International School.
Vëmendje iu kushtua realizimit të një panairi të grave artizane nga të gjitha bashkitë/komunat shqipfolëse të rajonit, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të cilat pasqyruan elementët e përbashkët të etnografisë shqiptare dhe ofruan një ambient tërheqës dhe promovues të produkteve të artizanatit dhe kulinarisë.
Përtej faktit që Forumi bëri bashkë përfaqësues të fushës politikë, akademikë, sipërmarrës të suksesshëm, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile nga rajoni shqipfolës, ai nxiti edhe një diskutim më të gjerë mbi mundësitë e forcimit të rolit të gruas në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Pjesëmarrësit nënvizuan kontributin dhe ndikimin e mundshëm të gruas në përballimin e sfidave si dhuna në familje apo nxitja e sipërmarrjes së grave.