Home > Lajme > Unioni i Bashkive Shqiptare, Veliaj: Ka ardhur koha për t’u integruar mes veti

Tirana dhe shtatë qytete të tjera anëtare të Unionit të Bashkive Shqiptare angazhohen për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, në vijim të nismave për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin e tretë të këtij Unioni, ku morën pjesë përfaqësues të Prishtinës, Preshevës, Tetovës, Ulqinit, Gostivarit, Prizrenit dhe të Fierit.

Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi një takim të tillë si tepër të rëndësishëm për shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes qyteteve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. “Është një platformë për të shkëmbyer ide dhe energji, e cila thjeshtohet nga fakti se flasim të njëjtën gjuhë, por nuk është ky motivi kryesor. Nëse korsitë e biçikletave po funksionojnë në Tiranë, pse të mos funksionojnë edhe në Tetovë? Nëse ditët pa makina po funksionojnë në Prishtinë, ndoshta funksionojnë edhe në Tuz. Për ta larguar këtë takim nga legjendat urbane sikur po ndodhin çudira historike, në fakt historia e vërtetë që duhet të ndryshojmë është ajo që ndodh në qytetet tona”, tha Veliaj.

Për të rritur ndërveprimin dhe për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve mes bashkive dhe komunave anëtare të Unionit, është rënë dakord edhe për ngritjen e një Sekretariati me seli në Tiranë. Veliaj tha se ky Sekretariat do të ndihmojë një koordinim më të mirë, veçanërisht për aspektet teknike. “Ky është takimi ynë i tretë dhe pas krijimit zyrtar të këtij Unioni, ne do të kemi një Sekretari në qytetin e Tiranës. Fillimisht do të kemi një staf me tre vetë nga Bashkia e Tetovës, nga Bashkia e Prishtinës dhe nga Bashkia e Tiranës, që të na ndihmojë për aspektet teknike të Unionit”, deklaroi ai.

Ai prezantoi edhe disa nga nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës si korsitë e biçikletave, Pylli Orbital etj., të cilat kanë pasur një ndikim pozitiv në mjedis. Veliaj shprehu nevojën e një integrimi më të mirë të qyteteve dhe për nxitjen e projekteve të përbashkëta. “Në Tiranë kemi filluar një projekt ambicioz për të mbjellë 2 milionë pemë. E pamundur t’i bësh të gjitha njëherësh, ndaj kemi thënë të mbjellim nga 100-150 mijë në vit deri në 2030. Nëse secili fëmijë e mbjell diçka për ditëlindje, fare mirë mund të bëhet në Tetovë dhe në qytete të tjera. Ambicja jonë është që nën suazën e integrimit dhe të Bashkimit Europian, ndoshta ka ardhur koha për t’u integruar mes veti njëherë, pastaj për t’u integruar me të tjerët”, tha kryebashkiaku.

Ndaj, një nga detyrat e Sekretariatit do të jetë edhe aplikimi në organizma të ndryshëm financiar për realizimin e projekteve rajonale. “Duam shumë që ky Sekretariat të aplikojë për bashkëpunime, për projekte rajonale, ku ne mund të konkurrojmë për financime që ndihmojnë financimet tona të pamundura. E nëse në finale qytetet tona janë bërë pak më të mira falë këtij bashkëpunimi, atëherë ka qenë një mision i suksesshëm”, u shpreh Veliaj.

Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, kreu i Bashkisë së Tiranës u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Shkupit Petre Shilegov, me të cilin diskutoi mbi forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive për qytetarët e të dy qyteteve. Më pas, kryebashkiaku Veliaj dhe homologu i tij maqedonas morën pjesë në Konferencën “Dialogu mes qyteteve si gjenerues të rritjes ekonomike”, organizuar nga NALAS, një rrjet i shoqatave të autoriteteve lokale të Evropës Juglindore.