Home > Lajme > ‘’Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare’’ bashkon shqiptarët e rajonit në perspektivat e përbashkëta zhvilluese

“Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon’’ u mblodh ditën e djeshme në ambientet e Bashkisë së Tiranës, për të diskutuar dhe ndërtuar strategjinë e përbashkët për bashkëveprim dhe bashkëpunim mes bashkive kryesore të hapësirës shqiptare.

Të pranishëm ishin shefat e kabineteve të bashkive më të mëdha shqiptare; të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Nën kujdesin e Shefes së Kabinetit të Bashkisë së Tiranës Keti Luarasi si dhe nën drejtimin e drejtoreshës së Sekretariatit të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon Andriola Kambo, ato diskutuan për strategjitë dhe idetë për projektet dhe mundësitë reale përmes të cilave ky union do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve në bashkitë e komunat shqiptare!

Gjatë kësaj mbledhje theksi u vu tek përpilimi i një plani 1-vjeçar i cili do të përmbajë kalendarin e përbashkët të projekteve në nivel lokal dhe rajonal për të kontribuar në fushën e kulturës, sportit, trashëgimisë kulturore, turizmit, urbanistikës etj.

“Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon’’ do të unifikojë në veprimet e njësive vendore anëtare dhe do t’i prezantojë ato në nivel rajonal, vendor, qendror dhe ndërkombëtar.

Gjithashtu u vendos që vitin e ardhshëm në kuadër edhe të 100-vjetorit të Tiranës si kryeqytet, gama e veprimtarive dhe ngjarjeve me karakter kombëtar dhe bashkëpunues të kenë si kryefjalë Tiranën.